Partia shqiptare në pushtet, Alternativa e cila udhëheqë me Ministrinë e Kulturës ka reaguar në lidhje me përzgjedhjen e shkrimtarit Peter Handke për fitues të Çmimit Nobël, transmeton Portalb.mk.

“Ndarja e çmimit Nobël për letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke është dëshmi se, përkundër angazhimit marramendës, bota e qytetëruar përsëri di të rrëshqasë në vendime cinike dhe, mbase, poshtëruese” , deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Ai shprehet që mes letërsisë e politikës ditore duhet të ketë ndarje, por jo edhe mes letërsisë dhe humanes.

“Të shpërblesh me një çmim prestigjioz një njeri që mburret me mbështetjen që i ka dhënë fashizmit millosheviqian e i cili as sot nuk pendohet për atë veprim, kjo është cinike dhe ofenduese jo vetëm për shqiptarët si viktima të regjimit të “Kasapit të Ballkanit”, por është fyese edhe për gjithë botën e qytetëruar që më 1999 – pikërisht për arsye humane – e përdori edhe forcën për ta ndaluar maninë e tij për zhbërjen e një kombi”, deklaroi Gashi.

Gashi shpreson se ky gabim mund të korrigjohet, duke e shpërblyer një shkrimtar më meritor dhe që nuk bie ndesh me vlerat humane.

“Duke mos dashur të paragjykoj se është prekur fundi, shpresoj që vendimi për ta shpërblyer me këtë çmim një njeri të këtillë të revidohet dhe ai t’i jepet një shkrimtari që e nderon botën tonë dhe nuk bie ndesh me vlerat pozitive humane e qytetërimore, për të cilat të gjithë angazhohemi me shumë përkushtim”, deklarohet në fund Gashi.