Akademia Suedeze vendosi që t’ua ndajë çmimet Nobel për Letërsi dy personaliteteve të njohura në botën e shkronjave.

Vendimi për ta shpërblyer shkrimtaren polake Olga Tokarczuk u mirëprit. Ndërsa vendimi për t’ia ndarë këtë çmim autorit austriak, Peter Handke, ngjalli reagime të shumta nëpër botë, shkruan Klan Kosova.

Kjo për shkak se shkrimtari Peter Handke nuk e kishte fshehur simpatinë që ka pasur për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq (i njohur si Kasapi i Ballkanit).

Madje Handke kishte qenë edhe në funeralin e Millosheviqit, ku kishte mbajtur një fjalim të shkurtër.

“Jam i lumtur të jem afër Sllobodan Millosheviqit, që mbrojti popullin e tij” kishte thënë ai në Sheshin e Lirisë në Pozharevc.

Përveç reagimeve që ngjalli në Kosovë, kjo ngjarje nuk iu shpëtoi as mediave ndërkombëtare.

Korporata Britanike e Transmetimeve, BBC News, e quan shkrimtarin Handke një figurë kontroverse i cili e mbështeti regjimin serb për luftërat Jugosllave gjatë viteve 1990.

“Ai kishte thënë publikisht se myslimanët e Sarajevës e kishin masakruar veten e tyre dhe pastaj kishin fajësuar serbët”.