Situata me Teatrin e Gostivarit ka eskaluar dje, ngaqë në Stacion Policor për një orë kanë qëndruar aktorët tashmë të përjashtuar nga shfaqja “Nathani i Urtë”, Berat Saliu dhe Argjend Hasani. Shkuarja në Stacion Policor ka ardhur pasi ata dy kanë shkuar në provat e shfaqjes, për të marrë sqarim për largimin e tyre të cilin edhe Portalb.mk arriti ta zbardhë, edhe pse ka kontaktuar paraprakisht të gjitha palët e përfshira në problem.

Aktorët Berat Saliu dhe Argjent Hasani sot dhanë sqarim për ngjarjen e mbrëmshme dhe kërkojnë përgjigje dhe reagime të institucioneve kompetente.

“Ne kishim ardhur në prova me aktorët tjerë, por ishim larguar me pranga në duar nga teatri. Kinse e kemi penguar punën. Është i paqartë reagimi i drejtorit Visar Vishka, sepse ne kërkuam dhe ende kërkojmë shpjegim se pse jemi larguar nga shfaqja e cila filloi të përgatite në prill të këtij viti. Ne i kërkojmë të drejtat dhe kërkojmë që të kthehemi në ekipin e aktorëve”, thotë Argjend Hasani.

Kolegu i tij Berat Saliu, i cili paraprakisht ishte emëruar si drejtor i Teatrit të Gostivarit, vlerëson se veprimet e tilla kanë prapavijë politike dhe motive të cilat nuk kanë lidhje me kulturën dhe teatrin.

“Isha i angazhuar që nga fillimi i përgatitjeve të shfaqjes ‘Nathani i urtë’, ndërsa pas ndërrimit tim si drejtor, isha larguar dhe nga shfaqja në mënyrë të paqartë. Kinse nuk i kemi respektuar disiplinën dhe urdhrat e regjisorëve. Por, më se e qartë është se motivet për këtë ‘lojë’ janë të motivuara politikisht”, thotë Saliu.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit të Gostivarit, Visar Vishka konfirmoi se ai e kishte thirr policinë, sepse ishte penguar procesi i punës.

“Isha i detyruar për një hap të tillë dhe si përgjegjës për rendin, u desh që të kërkoj ndihmë nga policia. Ata edhe paraprakisht kishin penguar provat, por arritëm që të merremi vesh disi. Thelbi i gjithë punës është që ata dy aktorë edhe paraprakisht kishin kërkuan që të ndërrohet regjisori Sulejman Rushiti. Kjo nuk është logjike. Ndërsa, që të vazhdojmë me punën dhe obligimet, vendosëm që të gjejmë zëvendësim për ta. Ata janë larguar sepse nuk e respektonin disiplinën dhe nuk vinin në prova”, deklaroi Visar Vishka.

Aktorët të cilët ishin larguar nga shfaqja paralajmërojnë ende reagime dhe siç thanë drejtësi do të kërkojnë në rrugë institucionale.

Nga SPB Tetovë e konfirmuan ngjarjen dhe se kishin intervenuar për ankesën në Teatrin e Gostivarit. Rasti plotësisht është zbardhur dhe kundër A.H. është përgatitur kërkesë adekuate për shkelje të rendit dhe qetësisë publike.

Përplasja mes regjisorit të shfaqjes funksionalizuese të Teatrit të Gostivarit, “Nathani i Urtë”, Sulejman Rushiti dhe aktorëve Berat Saliu dhe Argjend Hasani, erdhi pasi u ndryshua kasta e aktorëve. I pari akuzon se “aktorët janë larguar vetë”, ndërkaq të dytët se “janë larguar pa pëlqimin e tyre dhe pa paralajmërim”.

Në kuadër Programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, “Teatrit të Gostivarit” iu ndanë mjete për realizim të tre projekteve kulturore, të cilat do të vazhdojnë pas mbarimit të të gjitha procedurave administrative.

Përndryshe, për shfaqjen “Nathani  i urtë”, të autorit Gotold Efraim Lesing, në regji të Sulejman Rushitit, në fillim, në kastën e aktorëve ishin Argjend Hasani, Visar Vishka, Vjollca Baftiu Zulbehari, Berat Saliu, Emre Tosun, Ajshe Useini, Bereda Reshit, Sheqerie Iljazi dhe Driton Lazami. Provat filluan në muajin prill, ndërkaq premiera u paralajmërua pas një muaji, maj-qershor. Provat zgjatën gjashtë javë, premiera nuk u realizua, kurse u ndryshua kasta e aktorëve dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit.

Tash, në vend të Hasanit dhe Saliut, në kastën e aktorëve kanë ardhur Elmir Sejfullai dhe Senad Abduli, e kurse si ushtrues detyre i drejtorit është emëruar, Visar Vishka. Institucioni Nacional “Teatri i Gostivarit” u themelua më 31 tetor të 2018-s.