Publikimi i filmit “Farmer’s Blues” duket se vuri në dukje edhe vetë produksionin “Lumiere”, transmeton Portalb.mk.

Brenda një viti kalendarik, “Lumiere” ka arritur të realizojë dy filma të metrazhit të shkurtër dhe një të metrazhit të gjatë.

Filmi “Farmer’s Blues”, është realizimi i fundit, i cili vjen në regji të Ibër Dearit, premiera e të cilit pritet të shfaqet muajt në vijim. Fakti që ka nënshkruar kontratë të suksesshme më distributorin nga Spanja, bën që shpresat për suksesin e tij të ndihen që nga publikimi i trajlerit.

Me producentët Avdi Thaçin dhe Fisnik Halili, Deari u shpreh tejmase i kënaqur me punën e “Lumieres”.

“Kemi punuar me shumë dashuri e pasion. Kënaqësi të kesh një ekip fantastik, duke filluar nga aktorët, deri tek post produksioni. Jemi të lumtur që filmin e përfunduam dhe tashmë ka filluar rrugëtimi drejt festivaleve”, u shpreh për Portalb.mk, Deari.

Suksesin në botën kinematografike, Deari tashmë e ka dëshmuar në filmat paraprak si: City Screams (2015)”, “TOKA (2016)” dhe “A long way Home (2017)”, me të cilët ka arritur të rrëmbejë çmime edhe në Amerikë. Rrugëtimin e njëjtë, duket se do ta ketë edhe “Lumiere”.

Themeluesit e “Lumieres” janë Avdi Thaçi dhe Fisnik Halil. Të dy konsiderueshëm janë marrë me realizimin e filmave dhe reklamave. Te “Farmer’s Blues” Avdi Thaçi është producent kurse Fisnik Halili dizajn grafiku.