Me koncertin e titulluar simbolikisht “Gëzuar ditëlindjen”, Filarmonia Kombëtare e festoi mbrëmë 75-vjetorin e themelimit të saj.

Në ceremoninë, krahas drejtorit Viktor Ilieski, të pranishmit i përshëndeti zëvendësministri i Kulturës, Vlladimir Llazovski.

Me respekt të veçantë për themeluesit e këtij institucioni kombëtar, për të gjithë brezat e artistëve që kanë investuar kohën e tyre në ndërtimin e njërit prej institucioneve më me ndikim në fushën e kulturës së vendit, si dhe për të rinjtë që vijnë, zëvendësministri e uroi ditëlindjen dhe tha: “Më lejoni ta shpreh mirënjohjen time personale për angazhimin e shkëlqyer profesional të brezave të artistëve nga ky institucion kombëtar përgjatë 75 viteve të ekzistimit.

Sigurisht, mirënjohja vjen edhe nga Ministria e Kulturës, e cila mund të mburret vetëm me rezultatet e arritura në nivelin kombëtar, evropian dhe botëror nga Filarmonia Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Pianistja e shquar kineze, Zi Zi, interpretoi si soliste në koncertin e festimit. Dirigjent ishte Borjan Canev, ndërsa në program ishin Koncerti për Piano dhe Orkestër nga Johanes Brams, “Fantazia Korale” nga Tomisllav Zografski dhe variantet e “Gëzuar ditëlindjen” nga kompozitori i ri maqedonas, Filip Ivanov.