Me premierë gala dhe shëtitje në tapetin e kuq, mbrëmë, në kuadër të Edicionit të 14-të të Festivalit të Filmit në Romë, u shfaq premiera e filmit më të ri artistik “Shelgu” të regjisorit Millço Mançevski, njoftojnë nga Ministria e Kulturës, transmeton Portalb.mk.

Për filmin “Shelgu”, dita e parë e festivalit në Romë filloi me një projeksion të mëngjesit për gazetarët, e ndjekur nga konferenca për shtyp me regjisorin Mançevski dhe me aktoret maqedonase Sara Klimoska, Natalija Teodosieva dhe Kamka Tocinovski.

Filmi “Shelgu” është filmi i gjashtë me metrazh të gjatë i Millço Mançevskit. Në film luan një ekip i aktorëve të rinj: Nikolla Risteski, Sara Klimoska, Natalija Teodosieva, Nenad Nacev, Kamka Tocinovski. Në rolet e tjera luajnë: Petar Mirçevski, Bllagoj Çorevski, Ratka Radmanoviq, Ana Kostovska, Llaze Manaskovski, Katina Ivanova, Kire Gjorevski, Adem Karaga, Jelena Jovanova – Periq etj. Muzika është shkruar nga Kiril Xhajkovski, disenjator i produksionit është Dejvid Mans, drejtor i fotografisë është Tamash Dobosh, ndërsa producent i filmit është Jane Qortoshev. Filmi është në produksionin e “Banana Film” dhe është bashkëproduksion maqedono-hungarez-belg, me pjesëmarrjen edhe të Shqipërisë.

Në premierën, e cila u mbajt në Sallën Petrasi, në kompleksin më të madh muzikor publik “Parku i Muzikës”, mori pjesë edhe ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili.

Përndryshe, festivali u hap më 17 tetor me projeksionin e filmit më të ri të aktorit dhe regjisorit, Edvard Norton, “Bruklini pa nënë”, ku interpretojnë Brus Vilis, Alek Boldvin dhe Vilem Defo. Ai paraqet një nga ngjarjet më të mëdha kulturore, ku audienca ka mundësinë të flasë drejtpërdrejt me regjisorët, aktorët dhe shkrimtarët më të mëdhenj. Gjithashtu, paralelisht me Festivalin, ekziston edhe një treg i madh i filmit për shitjen e filmave dhe lidhjen e projekteve të reja.