Shfaqja “Jashtë bie borë”, e autorit Vicenzo Salemme, në regji të Qëndrim Rijanit, është vlerësuar me tre çmime në Festivalin e Teatrove “Kadri Roshi” në Gjirokastër, njofton Portalb.mk.

Në konton e “Jashtë bie borë”, u regjistruan çmimi “regjia më e mirë” për Qëndrim Rijanin, “aktori më i mirë i ri” për Trimosh Ramadanin dhe “skenografia më e mirë” për Petrit Bakallin.

“Jashtë bie borë” me asistent regjie Fitim Selimi, luajnë edhe aktorët si Blerim Ismani, Petrit Neziri dhe Muzafer Etemi. Në skenë, ajo është shfaqur me muzikën e realizuar nga Fatos Lumani dhe kostumografinë nga Edlira Qyshka.

Lajmin për ndarjen e çmimeve e kumtoi Teatri i Tetovës, produksion i të cilit është “Jashtë bie borë”.

“Teatri i Tetovës vlerësohet edhe me tre çmime në Festivalin “Kadri Roshi” në Gjirokastër. Juria e përbërë nga: Birçe Hasko, Mevlan Shanaj, Rajmonda Bulku, Suela Konjari, Petrit Ruka, vlerësuan shfaqjen ” Jashtë bie borë” me çmimet:
Aktori i ri më i mirë Trimosh Ramadani
Regjisori më i mirë Qendrim Rijani
Skenografi më i mirë Petrit Bakalli
Faleminderit Festivalit dhe jurisë për këtë vlerësim, që për ne është aq shumë i rëndësishëm!”, thuhet në njoftimin e Teatrit.