Këshilli Evropian, optimist për zgjidhjen e emrit deri në qershor

Në prag të takimit të kryeministrit Zoran Zaev me homologun e tij grek, Aleksis Cipras vijnë porosi konkrete nga Brukseli. Këshilli Evropian pret zgjidhjen e emrit deri në qershor, në mënyrë që vendi t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Zaev shpreson që çështja të zgjidhet sa më parë, por jo me çdo çmim. Përafërsisht diku kah fundi i qershorit janë datat përfundimtare kur duam të gjejmë zgjidhjen përfundimtare. Gjithsesi jo me çmim. Nuk është fundi i botës që të ketë zgjidhje në shtator ose tetor. Këtë e them që të kemi mirëkuptim me qytetarët. Dashtë Zoti që në Samit të kemi zgjidhje tani në Sofje, dashtë Zoti në fillim të qershorit. Ky do të ishte skenar i dëshirueshëm nga ana jonë – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Ndonëse Zaev shprehet i gatshëm për takim me liderët, VMRO DPMNE-ja akuzon se kryeministri pa ndonjë arsye po e shtyn takimin e liderëve. Çfarë fsheh kryeministri Zaev dhe nëse ka ndonjë marrëveshje cilat janë detajet e të njëjtit? Opinioni, qytetarët, të gjithë maqedonasit kanë të drejtë ta dinë të vërtetën. Çështja e emrit nuk është e drejtë sovrane e Zaevit dhe ai nuk guxon të sillet sikur të ketë monopol ndaj të njëjtit. z.Zaev dilni publikisht dhe thoni se çfarë negociohet dhe çfarë vijon – deklaroi Igor Janushev, Sekretar i Përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.

Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili në emisionin 200 që do të transmetohet sonte, paralajmëroi se Zaev do të heq dorë nga referendumi eventual për emrin dhe se çështja do të përfundojë si marrëveshje ndërkombëtare si ajo me Bullgarinë. Të ratifikojnë marrëveshje në modelin si me Bullgarinë dhe ta zgjidhim problemin, mos të lëmë hapësirë. Nëse lëmë hapësirë tek referendumi, çështja nuk mund të zgjidhet. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë – tha Rexhail Ismaili, BDI.

Ndërkohë sipas mediave greke, madje nuk përjashtohet mundësia që kryeministrat të takohen dy herë për emrin, në kuadër të Samitit të 17 majit në Sofje. Ndërsa mbeten të mëdha pritjet se do të ketë rezultate drejt kompromisit rreth hapësirës së përdorimit të emrit dhe ndryshimeve kushtetuese. Në këtë kontekst pala greke pret nga ajo maqedonase të bëjë lëshime, duke thënë se topi tani është në anën e Shkupit. Në emisionin e mbrëmshëm 360 shkallë u raportua se në tavolinën e bisedimeve janë sekuencat, respektivisht se kur çfarë duhet të bëhet. Një nga skenarët e mundshëm është që sapo palët ta firmosin marrëveshjen ndërkombëtare vendi do të fillojë negociatat me BE-në, ndërsa kur vendi ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvend do të anëtarësohet në NATO. Ndërsa gjatë procesit të ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvendin grek vendi do të duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese.