Teatri i Tetovës e ka publikuar orarin e shfaqjeve të cilat do të mundet t’i ndjekin artdashësit gjatë deri në fund të muajit shkurt. Repertori është i mbushur me shfaqje të regjisorëve profesional dhe të studentëve të sapo diplomuar në regji. Gjithashtu, për ata që kanë humbur mundësinë, Teatri do t’i rikthejë përpara publikut edhe shfaqjet profesionale nga regjisorë profesionistë të jashtëm dhe të RMV-së, njofton Portalb.mk. 

Repertori i Teatrit të Tetovës do të hapet me shfaqjen e Petrit Nezirit, “KTHESA” njëherësh edhe shfaqja e diplomës së njërit nga studentët e sapodiplomuar të Regjisë së Teatrit. Shfaqja do të vihet përpara publikut më 31.01.2020 dhe 28.02.2020 në orën 19:00.

Nga shfaqjet e studentëve të sapodiplomuar, publiku do të ketë mundësi të ndjekë edhe:

“DUKE PRITUR GODONË” nga autori Samuel Beckett nën regji të Kaltrina Tefikut më 06.02.2020.

“Tregimi zoologjik” nga autori Edward Albee nën regji të Gent Mehmetit më 14.02.2020.

 “Pelikani” nga autori August Stringberg nën regji të Fitim Selimit më 21.02.2020.

Nga regjisorët profesionistë të RMV-ë dhe jashtë Maqedonisë së Veriut përpara publikut do të vihen përsëri shfaqjet e mirëpritura dhe shumë të kërkuara nga publiku tetovar; “Bidermani dhe zjarrvënësit” nën regji të Met Xhelilit me 27.02.2020 dhe 07.02.2020, “Jashtë bije borë” nën regji të Qëndrim Rijanit me 20.02.2020, “Një letër e humbur” nën regji të Kushtrim Bekteshit me 13.02.2020.

Para disa javëve në skenën e Teatrit të Tetovës u dha shfaqja e diplomës “Kurora” nën regji të Afërdita Nuhiji.

Orari i teatrit për vitin 2020

Viti që kaloi ishte një ndër vitet më të frytshme të Teatrit të Tetovës duke lënë pas vetes 2 premiera dhe edicionin e shtatë të festivalit Teatrorë në Tetovë. Gjithashtu viti që lamë pas ishte një vit i stërmbushur me probleme për Teatrin e Tetovës, duke filluar nga mungesa e hapësirave për prova deri tek sistemi administrativ i tij.