„Muzikë për shëndetin e fëmijëve në Kosovë“. Kështu u titullua koncerti humanitar, i cili u mbajt të dielën në mbrëmje në Vjenë. Koncerti ishte organizuar nga organizata austriake jofitimprurëse „ÖJAB“ dhe kishte për qëllim ndihmën për fëmijët e sëmurë në Kosovë shkruan Albinfo.ch transmeton Portalb.mk. 

Në këtë koncert humanitar, i cili mblodhi miq austriakë dhe shqiptarë, performuan: pianisti i famshëm austriak, Pierre Weber  dhe sopranoja shqiptare  e Teatrit të Operës dhe Baletit nga Shqipëria, Eriona Gjyzeli-Dragoieca. Për afro dy orë sa zgjati koncerti, të pranishmit shijuan këngët e përzgjedhura nga kompozitorët e njohur botërorë: Antonio Vivaldi, Wolfgang Amadeus Mozart, pastaj më këngë shqipe si: „ Pranvera filloj me ardh“ , „Kroi i fshatit tim“, „Lule borë“ e të tjera.

Hyrja ishte falas, ndërsa mysafirët dhuruan vullnetarisht donacione, sipas mundësive të tyre.

„Ne dëshirojmë që me anë të këtij koncerti së bashku me ndihmën austriake të mundemi të marrim hapa thelbësorë drejt kujdesit shëndetësor për fëmijët, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Për fat të keq, ka akoma sfida për zgjerim. Ne besojmë se të drejtat e njeriut për kujdesin optimal zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët e në gjithë botën“, thotë për albinfo.ch Elisabeth Campestrini, udhëheqëse e Departamentit të Bashkëpunimit për Zhvillim në „ÖJAB“ si dhe organizatore e këtij koncerti.

Pjesë organizative e koncertit ishte edhe Dr. Emir Haxhija i cili punon si mjek në kirurgjinë e fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare në Graz dhe profesor në Universitetin e mjekësisë në këtë qytet të Austrisë. „Duke ditur nevojën për përmirësimin e gjendjes në spitalin e pediatrisë dhe veçanërisht të fëmijëve që vuajnë nga sëmundja e Leukemisë, Elisabeth Campestrini,  ka organizuar këtë koncert për të mbledhur një fond i cili do të shkojë në ndihmë të atyre fëmijëve, përkatësisht shuma e mbledhur do të dorëzohet tek shoqata „Ndihmë Fëmijëve me Kancer“ në Prishtinë“, shprehet Dr. Emiri për albinfo.ch.

Dr. Emir Haxhija thotë se veprimtaria e këtij aktiviteti është që nga viti 2008 por që nga viti 2013 është duke u impementuar intensivisht. „Ky aktivitet implementohet në Qendrën Universitare në Prishtinë, në departamentin e Pediatrisë, përkatësisht në repartin për shërimin e fëmijëve të sëmurë nga kanceri“.

„Ndihmë fëmijëve me kancer“ është shoqata e parë e formuar për të ndihmuar fëmijët dhe familjet e tyre si dhe ndihmon edhe repartin e fëmijëve që janë të sëmurë nga kanceri.

Organizatorja Elisabeth Campestrini premtoi se aktivitetet e organizatës austriake për të ndihmuar fëmijët e sëmurë në Kosovë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.