Roli i islamit në ruajtjen e shqiptarëve nga asimilimi dhe roli i tij në tejkalimin e sfidave me të cilat janë përballur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ndër shekuj, ishin disa nga pikat në të cilat u fokusuan folësit në konferencën shkencore “ Roli i Islamit në mbrojtjen e identitetin shqiptar në Maqedoni”, të organizuar nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe  Kulturore të shqitparëve në Shkup. Studiuesi, Milazim Krasniqi, tha se Islami ndër shqiptarët, duke përfshirë edhe viset e Maqedonisë së Veriut, ka kontinuitet mbi gjashtë shekuj dhe si i tillë ka ushtruar një ndikim esencial në mbijetesës dhe formësimin e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve

Milazim Krasniqi, studiues  

“Ne sot mund të bëjmë gjithfarë hamendësime se cila do të ishte rruga e zhvillimit të shqiptarëve pa islamin, ose pa rrezatimin e islamit. Por, nëse e marrim si të mirëqenë gjendjen në të cilën kanë qenë shqiptarët para sundimit osman, gjasat janë që shqiptarët do të zhdukeshin dhe do të asimiloheshin tërësisisht nga helenizmi dhe sllavizmi”.

Studiuesi, Zeqirja Ibrahimi elaboroi temën “Shtresat identitare të shqiptarëve mysliman në Maqedoni”, e cila ka të bëjë me çështjen e akomodimit të identitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në identitetin e përgjithshëm shqiptar.

Zeqirja Ibrahimi, studiues  

“Është një temë që ndoshta nuk është folur shumë, për shkak se shqiptarët e Maqedonisë me identitetin e tyre pak më të sfocuar islamik do të kisha thënë, sikur e kanë ndjekur një hendikep që nuk janë shqiptar të plotë në krahasim me shqiptërët e tjerë të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe e kam çështjen se si mund të akomodohet identiteti i këtillë i shqiptarëve në identitetin e përgjithshëm shqiptar, këtu duke i’u referuar edhe teorive bashkëkohore për çështjen e identitetit dhe për faktin se çfarë ishte dasht që të merret si kriter i një identiteti të fuqishëm kombëtar”.

Ndërsa, kreu i BFI-së,  Sulejman Rexhepi, tha se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndër shekuj janë ndihmuar nga përkatësia e vet islame, që t’i tejkalojë sfidat e shumta dhe t’u mbijetojë furtunave që kanë kërcënuar identitetin dhe lashtësinë shqiptare.

Sulejman Rexhepi, kreui BFI-së  

“Duke qenë fe që njeh dhe që respekton dallimet mes popujve dhe kulturave, Islami ka qenë digë që e ka mbrojtur identitetin shqiptar dhe ka lënë gjurmë të fuqishme në kujtesën tonë kolektive. Një meritë e këtillë madhore ndoshta dikur i është mohuar Islamit, por ja që sot mendimi i lirë dhe i shëndoshë shkencor gjithnjë e më shumë po i ndriçon dhe po i drejton paqartësitë dhe deformitetet e së kaluarës”.

Drejtori i Institurtit, Skender Asani, tha se përkudnër krej planeve asimiluese dhe ekspansioniste që kanë thurrur sllavët në të kaluarën ndaj shqiptarëve, i shkrinë shqiptarët ortodoks dhe rrudhën atë katolik, ndërsa shqiptarët mysliman mbijetuan dhe sot vazhdojnë t’i ruajnë vatrat e tyre stërgjyshore e kujtesën e vijëmësisë etnike shqiptare. Teuta Buçi /SHENJA/