Në mëngjesin e së mërkurës në Prishtinë ka ndërruar jetë regjisorja, Arzana Kraja.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se angazhimi i regjisores Kraja në fushën kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë vdekjen e një personi të gjinisë femërore me inicialet A.K, dhe se ka dalë në vendin e ngjarjes pas informatave për një trup të pajetë.

Zyrtarët policorë po ashtu kanë thënë se ky rast po konsiderohet si “vdekje e dyshimtë”, derisa të publikohet raporti i obduksionit.

Kraja njihet për filmat, “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”.

Komuniteti artistik në Kosovë dhe miq të saj janë shprehur të mërzitur dhe kanë shprehur ngushëllime për regjisoren e ndjerë.