Edicioni i 40-të i Festivalit Ndërkombëtar të Kamerës së Filmit “Vëllezërit Manaki” do të mbahet në Manastir nga 14 deri më 21 shtator. Drejtoresha e festivalit, Gena Teodosievska, theksoi se në hapjen solemne në Manastir më 14 shtator do të shfaqet filmi spanjoll “Dhimbja dhe lavdia” (Pain and glory), në regjinë e Pedro Almodovarit dhe kinematografit Hoze Luis Alkaine, i cili njëherazi edhe do ta vizitojë Manastirin gjatë festivalit.

Në këtë edicion do të marrë pjesë edhe një mysafir special, skenaristi dhe regjisori irlandez, Xhim Sheridan. Nga 14 deri më 21 shtator, Manastiri do të jetojë për herë të 40-të me magjinë e filmit të Festivalit Manaki me moton “Tregoju reve” (Tell the clouds).