Mbi 7 milionë euro llogaritet të jetë kostoja e dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i nëntorit në monumente. Këtë shifër e ka dhënë ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti. Sipas saj, shifrat mund të lëvizin gjatë punës që do të bëhet ditëve në vazhdim.

“Kemi një kosto që u llogarit 7 milionë euro. Por tash janë duke u shtuar edhe kosto të tjera. Është një kosto e lartë, por dinamike. Mund të shtohet edhe më tepër. Për rastin e Krujës po vazhdon studimi gjeologjik”, ka thënë ajo. Sipas saj, dëmet që ka shkaktuar tërmeti në monumente kulturore mund të kenë edhe pasoja të tjera pos atyre financiare. Ka thënë se dëmet krijojnë ndjesi jo të mirë, panik e po ashtu mund të shkaktojnë ulje të fluksit të vizitorëve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka ndarë 800 mijë dollarë për punimet që do të bëhen në Kalanë e Krujës.

Janë disa monumente të kategorisë së parë që kanë pësuar dëme të mëdha pas tërmetit të nëntorit që kishte rezultuar me mbi 50 viktima e rreth 700 veta që janë trajtuar në spitale.

Kalaja e Durrësit, ajo e Prezës afër Tiranës e ajo e Krujës sipas raportimeve dalin të jenë më të dëmtuarat.

Kalasë së Durrësit i janë shembur një pjesë e mureve. Monumenti ishte ndërtuar nga perandori bizantin, Anastasi, në shekullin VI, përbëhet nga dy pjesë: Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Në historinë e monumentit, si një rast tjetër ku ishte dëmtuar shumë daton tërmeti i vitit 1273 për t’u rinovuar prapë. Muret e objektit janë të larta 4.6 metra.

Raportimet e mediave shqiptare kanë nxjerrë në pah se është dëmtuar edhe Kalaja mesjetare e Prezës në Tiranë. Paraditen e së martës, Bashkia e Krujës nëpërmjet një komunikate u ka bërë apel qytetarëve të mos kalojnë afër Kalasë së qytetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet nga dëmtimi i shkaktuar nga tërmeti. “Shkëmbi nën kullën e sahatit rrezikon të shembet. Asnjë makinë nuk duhet të kalojë, pasi shton mundësinë që masivi shkëmbor të bjerë”, shkruhet në komunikatë. Kruja, që njihet edhe si qytet muze, ka identifikuar 320 objekte të dëmtuara për të cilat është raportuar në Bashki.

Dëme kanë pësuar edhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Muzeu Historik Kombëtar. Por, sipas të dhënave, kanë shpëtuar koleksionet e këtyre institucioneve dhe dëmet mund të riparohen shpejt.