Në Muzeun e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u hap solemnisht manifestimi “Ditët Evropiane të Trashëgimisë Kulturore”.

Në ceremoninë e hapjes, fjalim mbajti zëvendësministri i Kulturës, Vlladimir Llazovski, i cili tha se po flasim për manifestimin i cili ka një simbiozë natyrore për ne – i afirmon vlerat evropiane që Republika e Maqedonisë së Veriut me përkushtim i kultivon dhe i përsos në rrugën e pranimit formal në Bashkimin Evropian, si dhe për manifestimin që e thekson rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si vlerë e përbashkët e qytetërimit evropian.

Llazovski theksoi se Ministria e Kulturës është partner dhe i mbështet të gjitha subjektet në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore pasi bëhet fjalë për fushën që ka përparësi të madhe në politikat e Qeverisë.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Muzeut, Gordan Nikollov, si dhe kuratori dhe autori i ekspozitës, mr. Darko Nikollovski, që u hap “Në margjinat e Rajonit të Shkupit – objektet sakrale dhe arkitektura rurale”.

Tema e edicionit të sivjetëm të “Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore” në vendin tonë, si në shumicën e vendeve evropiane, është “Arti dhe Argëtimi”.

Parashihet që aktivitetet brenda këtij manifestimi të zhvillohen nga 23 deri më 29 shtator 2019.

Në koordinim me Muzeun e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëpër gjithë vendin do të organizohen hapjet e ekspozitave, ligjëratat, aktivitetet edukative, projeksionet filmike, promovimet e librave dhe aktivitetet e tjera që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, me qëllimin kryesor promovimin e pasurisë sonë kulturore dhe afrimin para publikut të gjerë.