Shfaqja “Nathani i urtë” do të shënojë historinë në Institucionin Nacional “Teatri i Gostivarit”, si shfaqja e parë pas themelimit të këtij institucioni para gjashtë muajsh, transmeton Portalb.mk.

Për shfaqjen “Nathani  i urtë”, të autorit Gotold Efraim Lesing, në regji të Sulejman Rushitit, me aktorë: Argjend Hasani, Visar Vishka, Vjollca Baftiu Zulbehari, Berat Saliu, Emre Tosuni, Ajshe Useini, Bereda Reshit, Sheqerie Iljazi dhe Driton Lazami, tashmë kanë nisur përgatitjet, ndërkaq premiera u paralajmërua pas një muaji.

Vepra “Nathani i urtë” përcjell mirëkuptim dhe bashkëjetesë

“Nathani i urtë” do të vihet në skenë në tri gjuhë, gjë e cila sipas regjisorit Sulejman Rushiti, do të simbolizojë realitetin multietnik jo vetëm të Gostivarit, por edhe më gjerë.

“Kjo bëhet për arsye se ne duam ta ruajmë shfaqjen ashtu siç duam ta ruajmë edhe Gostivarin, si një vend që promovon vlera jo vetëm artistike, por edhe por edhe tolerancë dhe mirëkuptim”, tha Rushiti.

Me rastin e nisjes së përgatitjeve, ministri i Kulturës, Asaf Ademi dje ka realizuar takim në Qendrën për Kulturë të Gostivarit, ku është vendosur Teatri, dhe paralajmëroi se premiera do të jetë pas një muaji – fillimi i muajit qershor .

“Kam takuar grupin e artistëve të cilët po përgatitin shfaqjen e parë, shfaqjen historike të Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit”, dhe shpresoj se brenda një muaji, sa do të jenë të gatshëm, do të jepet edhe shfaqja e parë. Është një ëndërr që bëhet realitet”, tha Ademi.

Për ushtruesin e drejtorit të Teatrit, Berat Saliu, shfaqja do të dëshmojë se Gostivari ka potencial dhe kuadër për të bërë Teatër.

“Ardhja e ministrit na dha një stimul ma të madh, për të pasur edhe një sukses më të madh, për ta dëshmuar atë që e dëshmoi edhe vetë ministri, se Gostivari ka potencial, ka kuadër për të bërë teatër”, tha Saliu.

Përndryshe, Institucionin Nacional “Teatri i Gostivarit” u themelua më 31 tetor të 2018-s.