Shfaqja “Një letër e humbur”, në regji të Kushtrim Bekteshit ka triumfuar në edicionin e 49-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, duke rrëmbyer katër çmime, transmeton Portalb.mk.

“Një letër e humbur” me autor, Jon Luka Karaxhele, ka arritur të rrëmbejë çmimet: regjia më e mirë, aktori më i mirë me Arsim Fazliun, aktorja më e mirë me Vjollca Bekteshi Hamitin dhe skenografia më e mirë me Betim Zeqirin.

Të kënaqur me vlerësimin janë shprehur nga shtëpia e amë e shfaqjes, Teatri i Tetovës.

Ndërkaq, për shfaqjen, publicisti Afrim Demiri mes tjerash vlerësoi:

“Gërshetimi i teatrit politik dhe me atë natyralist i kishin dhënë shfaqjes tone shumë realiste, sa që të imponohej krahasimi mes një fotografie dhe një pikture natyraliste.Shpesh të krijohej përshtypja që ngjarja realizohej në një kuvend zgjedhor të partive tona e jo në teatër. Bekteshi ka mundur të ndjehej rehat në këtë zgjidhje skenike, derisa funksiononte shfaqja, mbase pa pyetur fare për dozën e përplasej së realitetit para shikuesve pa kujdesin estetik, pa kufizimin e lëvizjeve sipas ritmit psikologjik të bartjes së emocionit, apo edhe pa hekurosjen e paraqitjes se pamjeve skenike”.

Ndër shfaqjet tjera që u vlerësuan në këtë edicion të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, janë edhe “UN inspektori” nga Ferizaj, “Zona e pritjes” nga Shkodra dhe shfaqjet e teatrove nga Gjakova dhe Gjilani.

Në kuadër të Festivalit, është promovuar edhe vepra e regjisorit tashmë të ndjerë, Bekim Lumi, “Shakespear-i dhe Kanuni i Leke Dukagjinit”