Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, dhe koordinatori kombëtar për Zhvillimin e Kulturës në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Robert Allagjozovski, sot, në ditën e grevës në kulturë, mbajtën takim me Grupin e Punës dhe përfaqësuesit e SKRM-së dhe SASHK-ut. Në takim u arrit pëlqimi parimor për miratimin e Marrëveshjes së re Kolektive në kulturë, tekst që është harmonizuar me kërkesat e dy sindikatave përfaqësuese.

Duke i marrë parasysh mjetet buxhetore të Ministrisë së Kulturës për vitin 2020, Ministria dhe Qeveria kanë propozuar që dispozitat në lidhje me përcaktimin e koeficientëve për punonjësit e kulturës të fillojnë të zbatohen më së voni deri më 1.07.2020.

Në periudhën në vijim, anëtarësia e të dyja sindikatave duhet të shpreh zyrtarisht mendimin e tyre për çështjen në lidhje me termin e zbatimit të koeficientëve.

Nëse anëtarët japin pëlqimin e tyre, Ministria e Kulturës do të dorëzojë informatë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me miratimi i saj do të krijohen kushtet për nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive në kulturë.

Takimi i sotëm pason pas konkluzionit të Qeverisë (16 dhjetor 2019) që detyroi Ministrinë e Kulturës që t’i vazhdojë negociatat në kuadër të sigurimit të mjeteve buxhetore për vitin 2020 dhe të vazhdojë të insistojë në barazimin e veprimtarive në fushën e kulturës në nivel parimor në institucionet dhe krahasuar me nivelin e arsimimit me sektorët e tjerë administrativë.

Theksojmë që Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë në partneritet me dy sindikatat përfaqësuese dhe, po aq me anëtarësimin e tyre, përpiqen që t’i plotësojnë kërkesat e punonjësve të kulturës. Ministria e Kulturës dhe Qeveria e kanë në vëmendje rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për zgjidhjen sistematike të problemeve të grumbulluara në fushën e kulturës. Për këto arsye, konsiderojmë se vetëm dialogu i përbashkët është një mënyrë konstruktive për përfundimin me sukses të dy viteve të punës së përkushtuar për të gjetur zgjidhje parimore të kulturës që do t’i tejkalojnë problemet dhe padrejtësitë që kanë ekzistuar për 15 vitet e fundit. Në drejtim të dialogut të mirë dhe përkushtimit të Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë, ju rikujtojmë se gjatë vitit 2019 ishte realizuar nivelimi i rrogave sipas veprimtarive të kulturës, si dhe janë siguruar mjetet financiare për pagesën e titujve të fituar profesionalë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që ka qenë e papaguar për më shumë se 10 vjet.