Mbrëmë në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup për herë të parë u hap ekspozita e veprave të MOMus – Muzeu i Artit Bashkëkohor të Greqisë, ku morën pjesë një numër i madh mysafirësh dhe autorësh nga Greqia, ish-kryetari i Selanikut, Janis Butaris, ndërsa ekspozitën “A jam unë ai emër ose ajo fotografi” e hapi Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Ekspozita u realizua me mbështetjen e Qytetit të Shkupit dhe Ministrisë së Kulturës, dhe morën pjesë Kryetari Petre Shilegov dhe zëvendësministri i Kulturës, Vlladimir Llazovski. Në shfaqje janë ekspozuar rreth 50 fotografi, piktura, video dhe instalime të 16 autorëve.

Ekspozita e Shkupit vijon pasi në muajin qershor në MOMus u hap ekspozita e MAB-it “Çdo gjë që e kemi të përbashkët” me 14 artistë. Drejtoresha e MAB-së – Shkup, Mira Gaqina, thotë se bashkëpunimi midis të dyja institucioneve nuk është vetëm një shkëmbim kulturor, por e rrit rëndësinë edhe të bashkëpunimit më të gjerë bilateral midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe ka një rëndësi të madhe për të dyja vendet.

Sonte, në MAB në orën 19:00 jepet shfaqja “Në kujtimin e të dashuruarve të mi kapitalistë” të artistit Tomas Diafas. Aleksandros Plomaritis do të performojë në orën 20:15 me shfaqjen “Më dashuro të lutem”, ndërsa në mbrëmje do të vazhdojë deri vonë natën edhe me shfaqjet muzikore.