Shkruan: R. J.

Më 21 maj të vitit 1945 autorja suedeze, Astrid Lindgren, i dhuron vajzës së vet, Kerin, dorëshkrimin mbi historinë e çapkënes Pipi si dhuratë ditëlindjeje në dhjetëvjetorin e saj. Ajo e kishte shkruar këtë histori enkas për vajzën e saj, për ta argëtuar atë, meqë Kerin kishte qenë për një kohë të gjatë e sëmurë në shtrat.

Nga suksesi që pat libri me historitë e Pipi Çorapegjatës, aventurat e saj fëmijërore, filluan shumë shpejt të përkthehet në shumë gjuhë të botës. Më pas, në vitet `68 filloi xhirimi i TV serialit për fëmijë Pipi Çorapegjata i bazuar në librin e Astrid Lindgren me po të njëjtin titull.

Historia e çapkënes Pipi është tejet interesante dhe sjell edhe shumë porosi edukative. Pipi është gjithë kohës një vajzë kureshtare, ecën syhapur duke shijuar dhe shndërruar çdo gjë në histori interesante. Pipi u gëzohet gjërave të vogla, është pozitive dhe e do jetën. Vajza çapkëne me pikat e verës në fytyrë nuk pret t`i buzëqeshin, ajo u buzëqesh e para të gjithëve. Pipi komunikon, kërkon të njohë shumë njerëz dhe fiton gjithmonë vëmendjen e tyre. Ajo është e guximtare dhe zemërgjerë. Ndihmon më të dobëtit dhe mbron shoqërinë e saj. Miqtë më të ngushtë të saj janë Annika dhe Thomas, me të cilët ndan në jetën e saj pothuajse çdo gjë. Pipi i do kafshët, kujdeset për to, saqë kalin e saj me pika e mban brenda në shtëpi. Pipi kur lodhet, pushon.

Asokohe, roli i Pipit pikaloshe ju besua aktores dhe këngëtares suedeze Inger Nilsson. Ajo ishte vetëm 10 vjeç, kur filloi pjesëmarrjen e saj në këtë seri televizive, suksesi i të cilës bëri që ajo më pas të luajë si aktore kryesore edhe në tre filmat e Pipi Çorapegjatës të xhiruara në vitet 1969/70. Nelsson, me rolin e Pipit fitoi njohje në mbarë botën, kudo ku filmat e saj transmetoheshin. Si pjesë e suksesit si aktore, ajo në vitin 1975 nderohet me çmimin kinematografik spanjoll TP de Oro, në kategorinë për personazhin më të njohur filmi.

Aktorja Inger Nilsson

Tani 61 vjeçja Inger Nilsson jeton e lumtur nga kujtimet dhe momentet e personazhit të Çorapegjatës dhe mbetet përherë shumë e dashur për fëmijët. Libri i Astrid Lingren, seriali televiziv, filmat, shfaqjet teatrale mbi karakterin i Pipi Çorapegjatës prej krijimit të tyre e deri më sot kanë fituar vëmendjen e brezave të tërë dhe përfaqësojnë në mbarë botën momente të këndshme fëmijërore.

Historia e Pipit bashkë me bëmat e saj na mëson edhe sot e kësaj ditë t`i gëzohemi dhe ta duam jetën. Edhe pse shpesh na ndodh të bëhemi peng i përditshmërisë dinamike, diktuar enkas edhe nga vrulli i kohëve moderne.

Unë tani, pasi këtij shkrimi do shijoj një kafe me muzikë të lehte. Ashtu më ka mësuar Pipi këtu e sa vjet më përpara.