Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore organizoi punëtori me titull „Mbrojtja e përkohshme si masë e kujdesit në procesin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore“, në të cilën përvojat në këtë fushë i shkëmbyen përfaqësuesit e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Afet Jashari, deklaroi se mbledhja e këtij lloji është me rëndësi të madhe, dhe u shpreh i bindur se iniciativat e tilla do të hasin në mirëkuptim nga institucionet shtetërore.

„Trashëgimia kulturore e të gjithë popujve që jetojnë në Ballkan është ambasadori dhe promotori në botë, meqë nëpërmjet mbrojtjes së trashëgimisë kulturore do t’u tregojmë të tjerëve se institucionet tona, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, janë të gatshme ta bëjnë më të mirën në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore“, deklaroi Jashari.
Në punëtorinë morën pjesë edhe përfaqësueset e Sektorit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Makedonka Koceva, udhëheqëse dhe këshilltarja, Lumturie Zajazi, të cilat i shkëmbyen përvojat për trashëgiminë kulturore të Maqedonisë së Veriut.