Në Mbledhjen e 43-të, Komiteti për Trashëgiminë Botërore vendosi që trashëgiminë kulturore dhe natyrore në Rajonin e Ohrit mos ta regjistrojë në listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Komiteti për Trashëgiminë Botërore i pranoi argumentet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e përshëndeti progresin që ishte bërë në dy vitet e kaluara.

Gjatë debatit për Rajonin e Ohrit, vendet-anëtare të Komitetit shprehën një mbështetje të madhe lidhur me angazhimet e Qeverisë për ta ruajtur integritetin dhe autenticitetin e trashëgimisë botërore në Rajonin e Ohrit.

Si reforma pozitive, Komiteti i theksoi aktivitetet e Qeverisë për ndërprerjen e planeve për qendrën e skive dhe rrugën ekspres në Galiçicë, projektet për sistemin kolektor dhe riorientimin e Lumit të Sateskës, si dhe miratimin e Ligjit të ri për menaxhim. Komiteti e shënoi dhe e përshëndeti vendimin e Qeverisë nga 11 qershori për t’i zbatuar rekomandimet e tjera të UNESKO-s.

Në pajtim me vendimin, Republika e Maqedonisë së Veriut, deri më 1 shkurt 2020 duhet të dërgojë raport për progresin në realizimin e rekomandimeve të tjera të UNESKO-s. Në bazë të këtij raporti pritet që UNESKO-ja përsëri ta shqyrtojë rastin me Rajonin e Ohrit në mbledhjen e ardhshme të Komitetit në muajin qershor të vitit 2020.

Në mënyrë plotësuese, në mbledhjen e Komitetit u miratua vendimi që të zgjerohet kufiri i së mirës së mbrojtur, me çka përfshihet edhe pjesa e Liqenit të Ohrit në Republikën e Shqipërisë. Maqedonia e Veriut e mbështeti dhe e përshëndeti këtë vendim, dhe prej së afërmi do të bashkëpunojë me Shqipërinë në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e përbashkët të trashëgimisë botërore.