Sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë u mbajt ceremonia që e shënon 25-vjetorin e themelimit të Komitetit Kombëtar të Këshillit Ndërkombëtar për Monumentet dhe Lokalitetet IKOMOS – Maqedoni.

Në ceremoni, në emër të Ministrisë së Kulturës, mbajti fjalim Afet Jashari, nëpunës kabineti për koordinimin e programit në Ministrinë e Kulturës. Jashari para të pranishmëve theksoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është prioritet në Strategjinë e Ministrisë së Kulturës për vitet 2018-2022.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është njëra nga sferat më të rrezikuara të kulturës, dhe kjo është arsyeja pse ne e vlerësojmë vazhdimisht atë në prioritetet më të larta si një identitet të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nuk duhet të anashkalohet në asnjë moment. Angazhimi, entuziazmi, zgjidhjet që i marrim nga IKOMOS, në të gjitha fazat e punës sonë, dhe praktikisht edhe në pjesën normative, kanë një rëndësi të madhe për Ministrinë e Kulturës”, tha Jashari.

“Me këtë rast, dëshiroj ta shpreh bindjen tonë se prioritetet e IKOMOS – Maqedoni janë prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe që ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për t’i përmirësuar kushtet e punës së kuadrit në këtë fushë dhe në pjesën normative, dhe sigurisht që vazhdojmë me qëllimet strategjike për të arritur trajtimin e duhur të trashëgimisë kulturore në të gjitha segmentet e mbrojtjes së saj të drejtpërdrejtë dhe sigurimin e kushteve të domosdoshme për promovimin e vlerave, si dhe prezantimin dhe afirmimin e tyre përkatës në korniza vendore dhe botërore” shtoi Jashari.