Shoqata Kulturore Maqedonase “Stobi” nga Spliti do të zhvillojë turne kulturore artistike në Shtip dhe Shkup të premten dhe të shtunën, me programin “Festivali i Letërsisë dhe Muzikës SMOSH 2019″.

Në program do të shfaqen këngët tradicionale maqedonase dhe kroate të interpretuara nga kuarteti”Klinci Mandolinci”, i cili ka qenë pjesë e SHKA “Stobi” Split për gjashtë vjet, e udhëhequr nga profesoresha Ivana Kenk Kalebiq. Kuarteti përbëhet nga: Nikolla Mitrevski dhe Mate Koshutnik (mandolin), Brigita Banoviq (mandolonçello) dhe Gorana Klishkiq (kitarë).

Në pjesën letrare të programit do të prezantohen – në Shtip shkrimtarët Trajçe Kacarov dhe Dolores Kashuba nga shoqata kulturore kroate-maqedonase “Libertas” nga Shtipi, ndërsa në programin në Shkup – nxënësit që i përkasin pakicës kombëtare kroate.

Performanca në Shtip është caktuar për ditën e premte, 22 nëntor, në orën 18:00 në Bibliotekën e Qytetit “Goce Dellçev”, ndërsa programi në Shkup është të nesërmen në orën 18:30 në Shtëpinë e Kulturës “Koço Racin”.

Siç njoftoi shoqata, qëllimi i tyre është që përmes artit të promovojnë arsimin multikulturor dhe zhvillimin demokratik duke i lidhur të dyja kombet dhe shtetet miqësore.