Në kuadër të procesit konsultativ me OJQ-të, ekspertët dhe opinionin për propozim tekstin e strategjisë kombëtare për zhvillimin e konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizëm, sot një tryezë në këtë temë u zhvillua edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Kordinatori nacional për kulturë në kuadër të Qeverisë, Robert Alagjozovski, tha se do të dëgjojnë zërin e të gjitha palëve kompetente dhe do të marrin mendimin e ekspertëve për përpilimin e një strategjie të suksesshme. Një ndër propozimet e sektorit civil, Alagjozofski tha se është edhe mësimi i obliguar i gjuhëve që fliten në vend, gjuhës maqedonase nga bashkësitë e tjera etnike dhe gjuhët e këtyre të fundit nga nxënësit maqedonas.

ROBERT ALAGJOZOVSKI, KORDINATOR NACIONAL PËR KULTURË
“Sfera kyçe është arsimi dhe ne e targetojmë arsimin fillor. Organizaat qytetare na kujtojnë se nuk mund ti harojmë as nivelet e tjera të arsimit duke filluar nga arsimi parashgkollor deri te arsimi i përjetshëm. Insistohet në mësimin në turne të përbashkëta, të eliminohet praktika e mësimit në turne të ndara ose paralele. Gjithsesi të jetë i obligueshëm edhe i gjuhës maqedonase nga bashkësitë jo shumicë, por edhe maqedonasit ta mësojnë gjuhën e bashkësive të tjera, qoftë gjuhën shqipe, turke, rome, vllehe, boshnjake, varësisht nga mjedisi lokal”

Nikoqiri i kësaj tryeze, rektori Abdylmenaf Bexheti tha se Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë është një model i suksesshëm për shoqëri të përbashkët dhe bashkëjetesë mes komuniteteve. Ai tha se universiteti mund t’ju ndihmojë shumë me praktikën e vetë dhe sugjerime për përpilimin e kësaj strategjie.

ABDYLMENAF BEXHETI, REKTOR I UEJL
“Këtu modeli i UEJL ka çka të prezentojë dhe mund të jetë tamam një model në miniaturë për një shoqëri, për shtet se si mund dhe si duhet të funksionojë toleranca ndërkulturore dhe avancimi ndërkulturor. Sigurisht që edhe në këtë debat ne do t’i prezentojmë pra edhe pikëpamjet tona dhe besoj se akademik apo profesor të caktuar të fushës do të japin edhe sugjerime konkrete. Por, mendoj se realisht është për t’u përshëndetur një aksion i tillë, duhet të jemi të vetëdijshëm se sa i vështirë ky projekt, është lehtë të formulohet bile edhe ta shkruani strategjinë, ndërsa ta zbatoni është shumë, shumë e vështirë”

Debate dhe konsultime të këtilla do të vazhdojnë edhe në universitetet e tjera në vend, institucionet akademike dhe organizatat jo qeveritare që punojnë në këtë fushë. Arben Zeqiri /SHENJA/