“Në qoftë se deri në fund të muajit dhjetor nuk përfundojnë punimet për fazën e parë, do të pasojnë dënime” ishin fjalët e drejtorit të Qendrës Kulturore në Tetovë, në nëntor të vitit të kaluar. Megjithatë, dhjetori kaloi dhe faza e parë nuk ka përfunduar, ndërsa dënime nuk ka pasur. Ministria e Kulturës për tre muaj ka zvarritur procedurën për fillim të punimeve për fazën e dytë të Qendrës së re për Kulturë në Tetovë, me arsyetimin se kanë hasur në mangësi të papritura në projekt, njofton Portalb.mk.

Në nëntor 2019, për Portalb.mk drejtori i Qendrës Kulturore, Artan Asllani u shpreh i bindur se punët për fazën e parë do të përfundonin në fund të muajit dhjetor 2019.

Kanë kaluar dy muaj ndërsa faza e parë ende nuk ka përfunduar, kurse drejtori thotë se punët për këtë fazë janë në përfundim e sipër dhe aktualisht janë në procedurë administrative të pranim dorëzimit të objektit.

“Mund te them se faza e parë është ne përfundim e sipër, janë duke u harmonizuar punët administrative te pranim dorëzimit te objektit. Sa i përket fazës se dytë, nga ana e qendrës për kulturë janë kryer gjitha obligimet që nga muaji nëntor, i mbetet Qeverisë që të kaloje raportin dhe te bëje planin dinamik te realizimit te fazës se dyte. Personalisht nuk mund të afatizoj asgjë pa marrë planin dinamik qe do duhet ta miratoje Qeveria ku do të afatizohen gjitha gjërat”  tha drejtori i Qendrës për Kulturë në Tetovë, Artan Asllani për Portalb.mk.

Zvarritja e procedurës për fillim të punëve për fazën e dytë

Me datë 3 nëntor të vitit të kaluar nga Qendra për Kulturë në Tetovë, e kanë dërguar projektin për fillim të punëve për fazën e dytë deri te Ministria e Kulturës, me qëllim që i njëjti të përfundoje në Qeveri për miratim dhe sigurim të mjeteve.

Ky projekt ka qëndruar në Ministrinë e Kulturës thuajse tre muaj, më pas i njëjti me datë 27 janar është dërguar në Qeveri për miratim. Sipas ministrisë, kjo ka ndodhur shkaku i gabimeve të cilat i kanë hasur në projekt.

“Siç jeni të informuar, punët e fazës së parë të objektit në fjalë (karabina, kulm dhe fasadë) janë në fazën përfundimtare. Ministria e Kulturës ka siguruar mjete për fillimin e punëve të fazës së dytë. Për momentin lënda është në procedurë të komisioneve të Qeverisë dhe gjithashtu kjo e fundit do ta miratoje planin dinamik për realizimin e propozuar nga Ministria e Kulturës. Realisht nuk kemi pritur deri më 27 janar, mirëpo projekti kishte mangësi dhe u detyruam që një periudhë të caktuar ti përmirësojmë ata lëshime” thanë nga Ministria e Kulturës për Portalb.mk.

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë në Tetovë ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.

Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. 

Kostoja e fazës së parë për ndërtimin e objektit ishte projektuar në 13.5 milion euro ndërsa me fillimin e fazës së dytë dhe shpalljen e tenderit për rregullimin e brendshëm çmimi do të arrijë në 40 milion euro.

Projekti për ndërtimin e kësaj qendre të kulturës multi-funksionale është një prej projekteve kapitale të qeverisë së kaluar, i paraparë për t’u realizuar disa vite më parë. Me ndërtimin e kësaj qendre do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh. Në pritje të realizimit të këtij projekti, aktiviteti kulturor dhe artistik zhvillohet në ambiente provizore dhe në kushte jashtë standardeve, ndërkaq Biblioteka që mban emrin “Koço Racin” mbetet e tepër e vogël, me pak libra dhe me kushte të këqia.