Zëvendësministri i Kulturës, Vlladimir Llazovski, e vizitoi Qendrën për Koordinimin e Bashkëpunimit Kulturor të Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore me ç’rast u informua me përgatitjet për Forumin e 4-t të Bashkëpunimit Kulturor në kuadër të Iniciativës 17 +1 që në fund të muajit nëntor të këtij viti do të mbahet në Shkup.

Zëvendësministri Llazovski theksoi se organizimi i Forumit për Republikën e Maqedonisë së Veriut është një nder i madh, por edhe një obligim, për çka nevojitet të përfshihet i gjithë potenciali në dispozicion i cili do të punojë me përkushtim dhe në nivelin më të lartë profesional, në mënyrë që të kemi një realizim të suksesshëm të këtij tubimi të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Pritet që në Forum të marrin pjesë ministrat e Kulturës nga të gjitha vendet anëtare të Iniciativës, me ekipet e saj të ekspertëve, ndërsa përveç miratimit të deklaratës së përbashkët, në Forum do të promovohet edhe platforma e internetit, si një mjet i dobishëm në rrjetëzimin dhe koordinimin e ardhshëm të shërbimeve, si dhe zbatimin e planeve dhe projekteve të vendeve pjesëmarrëse, dhe institucioneve të tyre në fushën e kulturës.

Qendra për Koordinimin e Bashkëpunimit Kulturor të Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore filloi të funksionojë në muajin mars të vitit 2018 dhe funksionon si Departament në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

Iniciativa e Republikës Popullore të Kinës filloi si procesi 16 + 1 në drejtim të intensifikimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit me 11 vende anëtare të BE-së dhe 5 vende të Ballkanit (Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut), në fushën e infrastrukturës, tregtisë, investimeve, transportit, bujqësisë, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës. Në Samitin e Shefave të Shteteve ose Qeverive, të mbajtur në Dubrovnik, Republika e Kroacisë, në muajin prill të këtij viti, Iniciativës iu bashkua edhe Greqia si anëtare e 17-të e Iniciativës. Në dokumentin e miratuar në këtë samit, me titull “Udhëzimet nga Dubrovniku”, Forumi për Bashkëpunim Kulturor, organizator i të cilit është Republika e Maqedonisë së Veriut, përmendet si njëri nga tubimet më të rëndësishme për vitin 2019 të procesit 17 + 1.